Make your own free website on Tripod.com

Intelektualët shqiptarë në Maqedoni  i shkruajnë, Përfaqësuesit të Politikës së Jashtme të BE-së

Intelektualët shqiptarë i drejtohen Havier Solanës

Paqja dhe prosperiteti sigurohen me respektimin e të drejtave të shqiptarëve

Në mungesë të institucioneve tona relevante, në të cilat do të mund të artikuloheshin kërkesat reale dhe jetike të shqiptarëve, pa cenuar interesin dhe sovranitetin e askujt, si dhe me dëshirë për të ndihmuar ambientin tonë kolektiv, në emër të intelektualëve, që janë thellë të brengosur për fatin e kulturës, të arsimit, të shkencës, të artit dhe në tërësi të qenies sonë kombëtare, i drejtohemi Shkëlqesisë Suaj, Zotëri Javier Solana, që përmes Institucionit të respektuar që Ju e përfaqësoni dhe në emrin Tuaj personal, të ushtroni ndikim me autoritetin Tuaj te institucionet shtetërore dhe te personalitetet udhëheqëse në Republikën e Maqedonisë për zgjidhjen e problemeve, të cilat ne si intelektualë mendojmë se janë të pranishme në vendin tonë dhe zgjidhja e tyre në rend të parë është në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, por edhe për tërë rajonin dhe hapësirën më të gjerë gjeopolitike.

 Ju, z. Solana, me siguri e dini se qytetarët e këtyre hapësirave, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare, shekuj me radhë jetojnë pranë njëri-tjetrit dhe çdo herë bashkërisht u kanë bërë ballë sfidave të ndryshme gjatë historisë së tyre. Prandaj, është e natyrshme që edhe në këtë kohë të jetojnë të barabartë të gjithë pa përjashtime.

 - Në vitin 1903 në “Manifestin e Rrepublikës së Krushevës”, e cila është bazë e kushtetutave të mëvonshme, apelohet te maqedonasit, shqiptarët, vllehët dhe turqit që ta mbrojnë Republikën e Krushevës, të parën në Ballkan. Qeveria e parë e kësaj Republike ka qenë multinacionale…

- Në mbledhjen e parë të Këshillit Antifashist për Çlirimin e Maqedonisë (ASNOM-it) 1945, vendi quhet Maqedonia “e pesë gjuhëve”, që do të thotë se është marrë vendim që për gjuhë zyrtare në Maqedoni të jenë: maqedonishtja, shqipja, turqishtja, vllahishtja…- Kushtetuta e vitit 1974 në preambulën e saj thotë: “Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet i barabartë i maqedonasve, shqiptarëve, turqve … etj”.

- Duke u nisur nga këto fakte që thamë më lart, mendojmë se pas vitit 1989 e këndej, këto të drejta historike për shqiptarët janë reduktuar dukshëm. Këto tendenca retrograde, për fat të keq, vazhdojnë edhe sot në kohën e pluralizmit politik, ku përmes majorizimit vazhdimisht injorohen kërkesat e shqiptarëve, të cilat dukshëm pengojnë zhvillimet demokratike në Maqedoni, dhe këto reflektohen negativisht në rajon e më gjerë. 

Ju, z. J. Solana, me siguri keni konstatuar që më shumë se 1/3 e popullsisë (shqiptarë) në Maqedoni nuk i gëzon të drejtat e barabarta me qytetarët maqedonas. Ata diskriminohen në mënyrë institucionale në punësim, arsim, kulturë, administratë, shëndetësi, ekonomi, informim dhe në shumë fusha të tjera të rëndësishme për jetë normale të individit. Për këtë gjendje faktike, Ju me siguri keni raporte të hollësishme. Madje edhe sot, për fat të keq, në Maqedoni në disa mjedise është prezent aparthejdi, ku “pakica sundon mbi shumicën”. Shembuj të këtillë kemi në shumë raste si, për shembull, në administratë komunale, në institucionet shëndetësore, gjykata, polici, ushtri etj.

Prandaj, shqiptarët në Maqedoni kërkojnë nga faktori ndërkombëtar (UE, OSBE, SHBA, OKB dhe institucionet e tjera të këtilla me relevancë ndërkombëtare) të mundësojnë krijimin e kushteve reale për zgjidhjen e çështjes së tyre jetike në këtë vend.

Mendojmë se udhëheqësit maqedonas, për fat të keq, edhe më tej nuk mund të shkarkohen nga nacionalizmat dhe shovenizmat, të cilat një kohë të gjatë ua imponuan fqinjët veriorë, duke zbatuar vite me radhë politikë antishqiptare. 

Përkundër insistimeve shumëvjeçare të subjekteve politike, që i përfaqësojnë shqiptarët në institucionet e sistemit, megjithatë ata nuk arritën t’i bindin udhëheqësit maqedonas se kërkesat e shqiptarëve janë reale, të

 natyrshme dhe me asgjë nuk cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë. 

Kur shqiptarët humbën durimin dhe besimin ndaj shtetit dhe koalicioneve partiake maqedonase-shqiptare, ata u detyruan që kërkesat e tyre t’i realizojnë qoftë edhe përmes armëve. Në mungesë të ligjeve pozitive për qytetarët shqiptarë në Maqedoni, si, fjala vjen, Ligji për shtetësi, pengimi i qarkullimit të lirë dhe të sigurt në zonat kufitare, ku banorët e këtyre anëve kanë lidhje tradicionale farefisnore mes tyre dhe sjellja brutale ndaj tyre nga ana e ushtrisë dhe policisë në këto zona, dhuna dhe diskriminimi permanent i pushtetit maqedonas mbi ta, i detyroi shqiptarët të ngrihen në kryengritje dhe të vetorganizohen në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare për të mbrojtur jetën, liritë dhe të drejtat e tyre individuale dhe kolektive. 

Shqiptarët në Maqedoni 7 vjet me radhë vetëfinancojnë Universitetin e Tetovës me mbi 10.000 studentë dhe 400 profesorë, si dhe kanë ndërtuar objektin universitar, përkundër obligimeve që ata inkasojnë detyrimisht në buxhetin e shtetit për arsim dhe edukim. E njëjta gjë vlen edhe për institucionet e tjera shtetërore, ku shqiptarët marrin pjesë me përqindje shumë të vogla ose simbolike, përkundër detyrimeve financiare që ata inkasojnë në buxhetin e shtetit.

Prandaj, z. J. Solana, kërkojmë nga Ju që të angazhoheni në drejtim të realizimit të këtyre kërkesave parimore të shqiptarëve në Maqedoni :

1. Ndryshimi i Kushtetutës diskriminuese aktuale, e cila është gjenerator i krizave të vazhdueshme në Maqedoni;

2. Republika e Maqedonisë të jetë shtet multinacional me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj;

3. Kërkojmë që shqiptarët, si qytetarë të Maqedonisë, të jenë bartës edhe të sovranitetit të shtetit, ku ata të kenë njësoj të drejta, por edhe detyrime si maqedonasit;

4. Deunitarizimi i Republikës së Maqedonisë;

5. Decentralizimi i sistemit politik;

6. Heqja e statusit të shqiptarëve si pakicë kombëtare;

7. Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në të gjitha instancat e shtetit;

8. Pranimi de jure i Universitetit të Tetovës si Universitet i tretë shtetëror me status të barabartë me dy universitetet e tjera shtetërore në Maqedoni;

9. Pariteti dhe proporcionaliteti në marrëdhënie pune në të gjitha sferat e jetës politike-juridike dhe shoqërore;

10. Regjistrimi objektiv i popullatës me një mbikëqyrje të faktorit ndërkombëtar, duke përfshirë këtu edhe popullatën në marrëdhënie pune në botën e jashtme;

11.Shqiptarët të kenë instucionet e veta kulturore përkatëse;

12. Aplikimi i institucionit të koncensusit në të gjitha institucionet e pushtetit politik;

13. Ndryshimi i Ligjit aktual zgjedhor, i cili është diskriminues, dhe zbatimi i sistemit zgjedhor proporcional;

14. Me qëllim që dialogu i paralajmërur në mes shqiptarëve dhe maqedonasve të jetë i suksesshëm dhe i qëndrueshëm, kërkojmë që këtu të marrin pjesë edhe faktori ndërkombëtar (SHBA-ja, Unioni Evropian, OSBE-ja, OKB-ja), faktori politik i UÇK-së, si dhe intektualë të tjerë të pavarur shqiptarë, të cilët me punën e tyre të mirë janë dëshmuar dhe kanë fituar besimin e popullit. Në të kundërtën, dyshojmë se do të ketë sukses dialogu vetëm në mes subjekteve zyrtare politike shqiptare dhe pushtetit maqedonas, për arsye se ata janë vetë shkaktarë të kësaj krize.

15. Kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të formacionave policore-ushtarake nga vendbanimet shqiptare, dhe kjo do të mundësojë ndërprerjen e  dhunës e të terrorit shtetëror maqedonas mbi popullatën e pafajshme civile. Në të kundërtën, dhuna do të prodhojë dhunë dhe pasojat do të jenë të paparashikueshme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë e më gjerë. 

16. Kërkojmë që të borgosurit politikë dhe luftëtarët e UÇK-së të lirohen nga burgu dhe të mos ndiqen penalisht.

Shpresojmë se Ju, z. J. Solana, mbështetur nga Institucioni Juaj që përfaqësoni, tashmë keni në duart Tuaja edhe opinionin e shumë intelektualëve shqiptarë, që është një ndihmesë për një dialog konstruktiv, dhe kjo do të krijojë kushte të përshtatshme për sigurimin e paqes e të prosperitetit për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. 

Intelektualët shqiptarë: (Vazhdojnë qindra nënshkrime…)